Secondary Adv

Tatimet në Vlorë dhe Sarandë, penalizime për agjencitë imobiliare dhe ndërtimin

Kontrollet tatimore në zonat bregdetare zbulojnë evazion fiskal, mospërputhje çmimesh dhe praktika të paligjshme në tregun imobiliar dhe ndërtim.

Në zbatim të planit operacional për sektorin e ndërtimit dhe në vijim të kontrolleve të ushtruara më herët në agjencitë më të mëdha imobiliare në qytetin e Tiranës, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren, ka vijuar kontrollet edhe në qytetet bregdetare të Vlorës dhe Sarandës.

 

Gjatë ushtrimit të këtyre kontrolleve janë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, të kryera me qëllim shmangien e detyrimeve ndaj shtetit. Sipas administratës tatimore, janë identifikuar agjenci imobiliare dhe subjekte ndërtuese të regjistruara që operojnë me një NIPT të vetëm, duke krijuar struktura të përbashkëta me risk të lartë fiskal.

 

Evazion fiskal dhe çmime të nënraportuara

Nga verifikimet e kryera është evidentuar evazion fiskal në vlera të konsiderueshme. Çmimet reale të tregut rezultojnë ndjeshëm më të larta se çmimet e referencës, ndërsa janë konstatuar mospërputhje mes çmimeve të deklaruara në kontratat noteriale dhe atyre të raportuara pranë Administratës Tatimore, me qëllim uljen artificiale të detyrimeve tatimore.

 

Punonjës të padeklaruar dhe dokumentacion i paligjshëm

Shkelje të tjera të rënda lidhen me mosdeklarimin e punonjësve në sistemin tatimor, përdorimin e dokumentacionit jotatimor, si dhe mospërputhje të theksuara ndërmjet të dhënave financiare të deklaruara dhe aktivitetit real ekonomik, të cilat përbëjnë indicie të qarta për fshehje të të ardhurave.

 

Sekuestrime dhe hetime të thelluara

Në funksion të vijimit të hetimeve të thelluara dhe dokumentimit të fshehjes së të ardhurave, janë sekuestruar njësi kompjuterike dhe të dhëna elektronike, të cilat i janë nënshtruar analizave të specializuara. Nga këto analiza kanë dalë informacione mbi transaksione shitjeje të kryera në cash, si dhe praktika të tjera në kundërshtim me legjislacionin tatimor në fuqi.

 

Drejtoria e Hetimit Tatimor po vijon analizimin e të dhënave të sekuestruara, me qëllim marrjen e masave që parashikon legjislacioni tatimor dhe referimin e rasteve pranë prokurorive përkatëse, në rastet kur do të provohen elementë të veprës penale të evazionit fiskal.

 

Administrata Tatimore informon se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e ndërtimit dhe ndërmjetësimit imobiliar të reflektojnë dhe të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet e tyre tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat